Të gjithë kapitujt

Siracidi · Kapitulli 50

Kryeprifti Simon, Përkujtim, etj.

31 vargje

Kryeprifti Simon

1Është Simoni, biri i Onisë, kryeprifti që, gjatë jetës së vet e ndreqi Shtëpinë dhe, në ditët e tija, e forcoi Shenjtëroren.

2Prej tij u vunë themelet e lartësisë, baza e lartësuar e murit të tempullit.

3Në kohë të tij u çel saranxha - një liqen me përmasa të detit.

4Për ta shpëtuar popullin prej cubit e forcoi qytetin në rast të rrethimit.

5Sa i hijshëm dukej kur shikonte nga Tenda, kur dilte nga Shtëpia e tisit!

6Porsi ylli i mëngjesit në re, porsi hëna e plotë ditën e festës,

7porsi dielli ndriçues përmbi Tempull të Hyjit!

8Porsi ylberi i ndritshëm ndër retë e lavdisë, porsi lulja e trendafilit në pranverë, porsi zambakët përbri ujin që rrjedh, porsi lulet e Libanit në ditë të verës,

9porsi zjarri në flakë e kemi në zjarr,

10porsi ena ari të farkuar, e stolisur me çdo gur të paçmueshëm,

11porsi ulliri garguri me fruta, si qeparisi që prek deri në re, kur veshej me petkun e lavdisë, kur stolisej me madhëri të përsosur!

12Kur ngjitej në lter të shenjtë, me madhëri e mbushte brendinë e shenjtërores!

13E kur merrte pjesët prej dorës së priftërinjve, e qëndronte në këmbë përbri lterit, përreth tij kurora e vëllezërve, porsi degët e cedrit të Libanit,

14e rrethonin në këmbë porsi rrema palmash të gjithë bijtë e Aronit në madhërinë e vet,

15me fli të Zotit në duart e tyre para mbarë bashkësisë së Izraelit. Kur i kryente funksionet në lter, përcaktonte kushtet e të Gjithpushtetshmit,

16shtrinte dorën për flinë e njomjes, bënte njomjen me gjak të rrushit,

17e derdhte në themel të lterit, erë hyjnore për Zotëruesin e tejetlartë.

18Brohoritnin atëherë bijtë e Aronit, u binin borive me metal të punuara dhe lëshonin një britmë të madhe në përkujtim Hyjit të Tejetlartë.

19Atëherë mbarë populli njëherësh shpejtonte me fytyrë binin mbi dhe për ta adhuruar Zotin, Hyjin e vet, e për ti drejtuar lutjet Hyjit të gjithëpushtetshëm e të tejetlartë.

20Atëherë këngëtarët e lavdëronin me zëra të tyre, ëmbël kumbonte ajo këngë e madhërishme!

21Populli i lutej Zotit të tejetlartë me lutje në prani të Mëshirëmadhit deri sa kryhej sjellja në nder të Zotit e i jepnin fund shërbesës së vet.

22Atëherë zbriste e i lartësonte duart përmbi mbarë bashkësinë e izraelitëve për t’ua dhënë me buzë të veta bekimin e Zotit e të nderohet me Emrin e tij.

23Edhe një herë binin përmbys për të fituar bekimin e të Tejetlartit.

Përkujtim

24E tani, bekojeni Hyjin e gjithësisë, që kryen vepra të madhërishme gjithkund, që i lartëson ditët tona që prej kraharorit të nënës dhe sillet me ne sipas mëshirës së vet.

25Ai na e dhëntë gëzimin e zemrës, u dhëntë paqe ditëve tona në Izrael, në mote të përhershme.

26Ai bëftë që Izraeli të besojë se me ne është mëshira e Hyjit që të jemi të lirë gjatë ditëve tona.

Fjalë e urtë numërore

27Dy popuj i ka inat shpirti im e i treti as që është popull:

28banorët e malit Seir e filistenjtë dhe popullin e marrë që banon në Sikim.

Përfundimi

29Është një mësim urtie e dijeje që e ka shkruar në këtë libër Jezusi, biri i Siracidit, Jerusalemas, që urtinë nga zemra e vet e zbrazi.

30I lumi ai që i pleqëron këto gjëra. Kush i shtie në zemër të vet, bëhet i urtë.

31Nëse do ti shtjerë në veprim, do të jetë i zoti në gjithçka, sepse frika e Zotit është udha e tij.