Të gjithë kapitujt

Tobiti · Kapitulli 10

IX. DASMA (2)

13 vargje

1Ndërkaq Tobiti vazhdimisht i numëronte ditët që lypeshin për të shkuar e për t’u kthyer djali i tij. E pasi u kryen ditët e i biri nuk erdhi,

2mendoi me vete: »Vallë, a do të jetë ndalur atje më gjatë? A mos do të ketë vdekur Gabaeli dhe s’ka kush t’ia kthejë paratë?«

3E filloi të bjerë në mendime.

4Po edhe gruaja e tij Ana thoshte: »Ka mbaruar im bir e më nuk është ndër të gjallët! Pse, pra, po vonon?« Dhe qante e e vajtonte të birin. Thoshte:

5»E mjera unë, biri im, që të lashë të shkosh, drita e syve të mi!«

6Tobiti i jepte zemër: »Mos, mos ndill zi, motër! Shëndosh e mirë është djali ynë, por patjetër do t’i jetë dashur të ndalet atje. Po mandej edhe njeriu që është me të, është njeri besnik dhe prej vëllezërve tanë! Mos u dëshpro për këtë punë, o motër, s’do të vonojë e do të vijë!«

7Por ajo i tha: »Mos më fol më! Pse don të më gënjesh? Ka vdekur biri im!« Dhe çdo ditë dilte e kundronte rrugën kah kishte shkuar i biri dhe s’shtinte gjë në gojë. Kur perëndonte dielli, hynte brenda e vajtonte gjithë natën dhe nuk flinte. Kur u kryen katërmbëdhjetë ditët e dasmës që Ragueli ishte përbetuar t’i bënte për nder të vajzës së vet, Tobia u çua e i tha Raguelit: »Tani më lejo të nisem, sepse e di mirë se im atë e ime nënë nuk besojnë se do të më shohin më. Tani, pra, po të lutem, o atë, më lejo të nisem e të shkoj tek im atë, se tashmë ta kam shpjeguar gjendjen në të cilën e kam lënë.«

8Ragueli i tha Tobisë: »Rri, biri im, rri ende me mua e unë po dërgoj lajmëtarë tek yt atë Tobiti që t’i tregojë për ty.«

9Por Tobia ia preu: »Assesi! Por po të lutem, më lejo të nisem që tani për tek im atë.«

10Ragueli u ngrit dhe ia dorëzoi Tobisë Sarën, gjysmën e pasurisë së vet, shërbëtorë e shërbëtore, dele e lopë, gomarë e deve, petka, para e orendi.

11E la të shkonte, i uroi udhë të mbarë e i tha: »Shëndet të mirë e udhë të mbarë, biri im! Zoti i qiellit ju priftë për së mbari në jetë, e mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë fëmijët tuaj!«

12Atëherë e mori ngrykë bijën e vet Sarën. Asaj i tha: »Bija ime, nderoje vjehrrin tënd e vjehrrën tënde, sepse ata qysh tash janë prindërit e tu, shi sikurse ne që të kemi lindur! Shko në paqe, bija ime! Ndjesha mirë për ty gjatë jetës sime!« E mori ngrykë dhe i la të nisen. Kurse Edna i tha Tobisë: »Zoti i qiellit të çoftë shëndosh e mirë, bir e vëlla i dashur! Mos e thëntë Zoti të vdes pa i parë bijtë e tu e të sime bijë Sarës që të gëzohem në praninë e Zotit. Po ta dorëzoj bijën time në roje e mos i sill kurrë gjatë jetës sate hidhërim! Shko, o bir, në paqe! Qysh tash unë jam nëna jote e Sara motra jote. E bëftë Zoti e të gjithë e kalofshim krejt jetën në lumturi!« I mori ngrykë të dy e i la të nisen të kënaqur.

13Tobia u nis nga Ragueli shëndosh e mirë duke e bekuar Zotin e qiellit e të dheut, Mbretin e gjithësisë, që ia kishte drejtuar për së mbari udhëtimin. Atëherë e bekoi Raguelin dhe gruan e tij Ednën e u tha: »E paça fatin e mirë t’ju nderoj si prindërit e mi gjatë krejt jetës suaj!«