Të gjithë kapitujt

Tobiti · Kapitulli 7

VII. RAGUELI

17 vargje

VII. RAGUELI

1Kur arritën në Ekbatanë, Tobia i tha: »Vëlla Azari, më ço drejt e te vëllai ynë Ragueli.« Ai e çoi drejt e në shtëpi të Raguelit. Raguelin e gjetën duke ndenjur te dera e oborrit të vet. Këta e përshëndetën të parët. Ai ua ktheu përshëndetjen me: »Mirë se na erdhët, vëllezër! Urdhëroni brenda!« Dhe u priu në shtëpi.

2I tha gruas së vet Ednës: »Sa shumë që po i përngjaka ky djalosh tim vëllai Tobitit!«

3Atëherë Edna po i pyet: »Nga ju kemi, o vëllezër?« Ata i përgjigjën: »Jemi nga bijtë e Neftaliut të mërguar në Ninivë.«

4U tha: »A mos e njihni vëllanë tonë Tobitin?« Ata i përgjigjën: »E njohim.« Ajo vazhdoi: »A është mirë?«

5Ata i përgjigjën: »Gjallë është e i fortë.« E Tobia shtoi: »Është baba im.«

6Atëherë u ngrit në këmbë Ragueli e mori ngrykë duke qarë

7e tha: »Qofsh bekuar, o bir! Je biri i një babai shumë të mirë! Se ç’fatkeqësi që një burrë i drejtë e bamirës si ai u verbua!« Dhe e mbante ngrykë duke qarë në qafën e Tobisë djalit të vëllait të vet.

8Qau edhe gruaja Edna, qau nga përmallimi edhe vajza e tyre Sara.

9Ragueli e preu dashin e grigjës dhe u bëri një pritje të përzemërt. Atëherë u lanë e u pastruan dhe u ulën në tryezë për të ngrënë darkë. Tobia i tha Rafaelit: »Vëlla, Azari, thuaj Raguelit të ma japë motrën time Sarën.«

10Ragueli i dëgjoi këto fjalë e i tha djaloshit: »Ha e pi e gëzohu pa u shqetësuar aspak sonte. S’ka tjetër njeri që duhet ta marrë bijën time Sarën përveç teje, o vëlla. Po ashtu as unë nuk kam leje t’ia jap një burri tjetër përveç teje, sepse ti je më i afërmi im. Por, more bir, më duhet ta them të vërtetën.

11Shtatë herë provova t’ia gjeja një burrë nga vëllezërit tanë, por të gjithë vdisnin natën e parë kur hynin në dhomën e saj. E tani, biri im, ha e pi e le të bëhet me ju si të dojë Zoti.« Por Tobia nguli këmbë: »Pra unë as s’do të ha, as s’do të pi pa më thënë se ç’do të bësh me mua.« Ragueli i përgjigji: »Të qoftë! Po ta jap siç e thotë Libri i Ligjit të Moisiut, pse kështu ka qenë caktuar prej Qiellit që të jetë e jotja! Merre motrën tënde. Tash e tutje ti je vëllai i saj e ajo është motra jote. Është jotja sot e përgjithmonë! Zoti i qiellit ju mbroftë sonte dhe ju dhëntë mëshirën e paqen e vet!«

12Atëherë Ragueli e thirri Sarën, vajzën e vet. Ajo u afrua. Ragueli e mori dorën e saj, ia dha atij e tha: »Merre për grua sipas Ligjit e rregullores që është e shkruar në Librin e Moisiut: është gruaja jote! Të qoftë e çoje te babai yt shëndosh e mirë. Hyji i qiellit ju dhuroftë udhë të mbarë e paqe.«

13Atëherë e thirri nënën e vajzës e kërkoi t’i sjellë një letër për ta shkruar dokumentin e martesës se ia dha për grua sipas rregullores së Ligjit të Moisiut. Nëna e saj e solli letrën dhe Ragueli e shkroi dhe e nënshkroi.

14Atëherë filluan të hanë e të pinë.

15Ragueli e thirri gruan e vet Ednën e i tha: »Motër, bëje gati dhomën tjetër e çoje vajzën atje.«

16Ajo shkoi, shtroi sikurse i qe thënë, e çoi vajzën brenda, qau për të, i fshiu lotët e i tha:

17»Mos të lëshojë zemra, o bijë! Zoti i qiellit e shndërroftë vuajtjen tënde në hare! Zemër, bija ime!«, dhe doli jashtë.