Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 1

I. URTIA DHE FATI I NJERIUT, Të kërkohet Hyji e t’i largohemi mëkatit, etj.

16 vargje

I. URTIA DHE FATI I NJERIUT

Të kërkohet Hyji e t’i largohemi mëkatit

1Duani drejtësinë, ju që gjykoni dheun, ushqeni ndjenja mirësie ndaj Hyjit dhe kërkojeni atë në thjeshtësinë e zemrës,

2sepse atë e gjejnë ata që se tundojnë dhe Ai u dëftohet atyre që besojnë në Të.

3Sepse mendimet dhelparake na ndajnë nga Hyji, kurse Gjithpushtetësia e vënë në provë i ndëshkon të patenzonët.

4Sepse urtia nuk hyn në shpirtin keqbërës dhe nuk banon në trupin skllav të mëkatit.

5Sepse shpirti mësues shenjterimi ikën nga shtiracaku, largohet nga mendimet e marra dhe errësohet porsa vjen papritur paudhësia.

6Urtia është shpirt që i do njerëzit, por s’e lë pa ndëshkuar atë që fyen me buzë, sepse dëshmitari i veshkave të tija është Hyji, shqyrtuesi i vërtetë i zemrës së tij e ndjen ç’thotë gjuha e tij.

7Vërtet shpirti i Zotit e mbush gjithësinë dhe ai që pushton gjithçka, di gjithë çka thuhet.

8Së këndejmi, kush thotë paudhësi s’mund të fshihet dhe s’do ta kursejë drejtësia shpaguese.

9Sepse do të shqyrtohen mendimet e të mbrapshtit, zëri i fjalëve të tija deri te Zoti do të arrijë për dënim të paudhësive të tija.

10Sepse është një vesh që me kujdes dëgjon gjithçka saqë as pëshperitja e nynykamave si shpëton.

11Ruhuni, pra, nynykames së kotë, rrudheni gjuhën nga shpifjet, sepse as fjala e fshehtë nuk do të shkojë huq dhe goja që gënjen, shpirtin e mbyt.

12Mos e kërkoni vdekjen me gabimet e jetës suaj dhe mos e rrënoni veten me vepra të duarve tuaja,

13sepse Hyji nuk e krijoi vdekjen dhe nuk i gëzohet humbjes së të gjallëve.

14Sepse ai gjithçka krijoi që të jetojë; dhe, në botë, breznitë janë shpëtimprurëse e në to nuk ka vrer shkatërrues dhe Nëntoka nuk e sundon tokën:

15sepse drejtësia është e pavdekshme.

Jeta sipas mendimit të keqbërësve

16Por keqbërësit e thërrasin vdekjen me dorë e me fjalë, duke e mbajtur për mikeshë, shkrihen për të, me të bëjnë besëlidhje, sepse janë të denjë t’i përkasin asaj.