Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 11

Mrekullia e ujit. Antiteza e parë, Maturia hyjnore ndaj egjiptianëve, etj.

26 vargje

1Ajo bëri të ecë mbarë çdo ndërmarrje e tyre me anë të një profeti të shenjtë.

2Udhëtuan nëpër shkretëtirë të pabanuar, ngulën çadrat e tyre në vende të papërshkueshme.

3U bënë ballë kundërshtarëve të vet dhe u hakmorën kundër armiqve të vet.

Mrekullia e ujit. Antiteza e parë

4Kur patën etje, tu lutën dhe u qe dhuruar uji nga qeta tejet e lartë dhe ua shove etjen nga shkëmbi i fortë.

5Kështu ajo që për armiq ishte ndëshkim, në nevojën e tyre u kthye për ta në mirësi.

6Në vend të rrjedhës së një lumi të përhershëm, të kthyer në gjak të qelbët,

7si ndëshkim të një urdhri fëmijëvrasësish, u dhe papritmas ujë të begatshëm,

8duke dëftuar me anë të etjes së atëhershme se si i kishe ndëshkuar kundërshtarët e tyre.

9Sepse, të vënë në sprovë, megjithëse të ndëshkuar me mëshirë, kuptuan se çvuajtje kishin sprovuar keqbërësit të ndëshkuar me zemërim.

10Këta vetëm, sikur babai që qorton, i vure në provë, ndërsa ata porsi mbreti i rreptë, i dënove me vuajtje dhe i gjykove.

11Sepse, si larg si afër vuanin;

12dhe trishim i dyfishtë i pushtonte dënesnin kur kujtonin të kaluarën.

13Kur dëgjuan se çka ishte vuajtje për ta që dilte për të mirën e izraelitëve e hetuan dorën e Zotit.

14E njëmend atij që e kishin braktisur dikur dhe e kishin përbuzur me përqeshje, kur panë si shkoi fundi, iu mrekullonin, pasi sprovuan një etje krejt të ndryshme nga ajo e të drejtëve.

Maturia hyjnore ndaj egjiptianëve

15Ti, për mendimet e çmendura të paudhësisë së tyre që i bënë të gabojnë dhe adhuruan gjarpërinj të pamend e kafshë më se të pavlera, për ndëshkim u dërgove një shumicë kafshësh memece,

16që ta dinë se kush me çka mëkaton, me të edhe do të ndëshkohet.

17Me siguri nuk ishte e pamundshme për dorën tënde të gjithpushtetshme - që krijoi rruzullin nga lënda e patrajtë - t’u çonte arinj të panumërt e luanë të hidhur

18ose edhe kafshë të egra të panjohura, ndërgut të krijuara, plot zemërim, që prej hundëve u buçet flaka ose lëshojnë tym qelbësues ose nga sytë përhapin shkëndija të tmerrshme,

19të afta jo vetëm që duke i ngrënë ti zhduknin, por edhe vetëm pamja prej frikës do t’i mbytte.

20Por edhe pa të gjitha këto mund të sharronin vetëm me një frymë, të ndëshkuar prej drejtësisë sate të flakur nga fryma e fuqisë sate. Por ti rregullove gjithçka me masë, numër e peshë.

Arsyet e kësaj maturie

21E pasi fuqinë tënde të madhe e ke gjithmonë në shërbim, fuqisë së krahut tënd kush mund t’i bëjë ballë?

22Mbarë bota para teje është porsi pak pluhur në peshore dhe porsi një pikë vese agimi që bie në tokë.

23Por ti ke dhimbje për gjithçka pse gjithçka mundesh, ti bën sikur si sheh mëkatet e njerëzve që ata të pendohen.

24Vërtet, ti do gjithçka është dhe s’urren asgjë që ke krijuar: sepse, po ta kishe urryer ndonjë gjë, nuk e kishe krijuar.

25E si do të mbetet në jetë ndonjë gjë, po të mos doje ti? Ose, si do ta ruante jetën, po të mos e kishe thirrur ti në jetë?

26Por ti i kursen të gjitha, sepse janë të tuat, o Zot jetëdashës,