Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 12

Maturia e Hyjit në ndëshkim të Kanaanit, Arsyet e kësaj maturie, etj.

27 vargje

1sepse shpirti yt i paprishshëm ndodhet në gjithçka.

2Për këtë arsye pak nga pak i ndëshkon mëkatarët, i ndëshkon dhe i qorton për mëkatet e tyre, që ta lënë paudhësinë e të besojnë në ty, o Zot.

Maturia e Hyjit në ndëshkim të Kanaanit

3Ti i kishe bezdi banorët e mëparshëm të tokës sate të shenjtë,

4sepse bënin vepra të urryeshme, vepra shortie e fli të patenzona;

5sepse ishin vrastarë të pamëshirshëm të fëmijëve, hanin rropullitë në gostitë e mishit e të gjakut të njeriut, merrnin pjesë në mistere zderhalljesh,

6ishin prindër vrastarë të qenieve pa mbrojtje, vendose t’i asgjësosh me dorën e baballarëve tanë,

7që më e dashura toka jote të fitonte një ngulim të denjë të bijve të Hyjit.

8Por edhe ata, i kurseve sepse ishin njerëz, dhe u dërgove, para ushtrisë sate, anëzat pararëndëse për t’i shuar ata dalngadalë.

9Jo pse të ishte e pamundur ti dorëzoje të paudhët në dorë të të drejtëve me luftim, ose t’i asgjësoje me anë të kafshëve të egra ose edhe me një urdhër të ashpër papritmas,

10por, duke i ndëshkuar ngadalë, i dhuroje vend pendesës, megjithëse e dije se ishin farë e keqe dhe prapësinë e kishin në natyrë e kurrë s’do të ndërrohej mendesia e tyre:

11farë e mallkuar ishin që në fillim.

Arsyet e kësaj maturie

E kjo sngjau se kishe frikë prej ndokujt

që nuk i ndëshkoje mëkatet e tyre;

12sepse kush do të guxojë të të thotë: “Çfarë bëre?” Ose kush e përballon gjyqin tënd? Ose të të fajësojë pse i shfarose popujt që ti vetë i ke krijuar? Ose kush do të ngritet kundër teje si hakmarrës ndaj njerëzve keqbërës?

13Jo, përveç teje tjetër Hyj nuk ka që të kujdeset për të gjithë, para të cilit të mbrohesh se nuk gjykove drejt.

14Asnjë mbret as sundimtar s’mund të përballojë ty për t’i mbrojtur ata që ti i ndëshkon.

15Por, pasi je i drejtë, gjithçka rregullon drejt, e çmon të padenjë për pushtetin tënd të dënosh atë që s’meriton të ndëshkohet.

16E njëmend fuqia jote është parimi i drejtësisë e, për arsye se je Zotëruesi i të gjithave, pra edhe mundesh t’i kursesh të gjitha.

17Pushtetin tënd e dëfton vetëm atëherë, kur s’besohet në gjithpushtetësinë tënde dhe e ndëshkon krenarinë e atyre që s’të njohin.

18Ti, ngaqë je zotëruesi i gjithë pushtetit, gjykon me butësi e na sundon me ndjesë të madhe: pushtetin e ke në dorë e mund ta përdorësh kur të duash.

Mësime hyjnore për Izraelin

19Duke vepruar në këtë mënyrë ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit.

20E njëmend, kur me aq maturi e butësi i ke ndëshkuar armiqtë e shërbëtorëve të tu, - njerëz të dënuar me vdekje - duke u dhuruar kohë e rast që të kthehen prej paudhësisë,

21e me sa kujdes atëherë i ke ndrequr bijtë e tu, prindërve të cilëve me përbetim e besëlidhje u ke dhënë premtime të mrekullueshme!

22Kështu, pra, ndërsa ne na mëson, armiqtë tanë i frushkullon në mënyrat më të ndryshme që të na bjerë ndër mend mirësia jote kur ne gjykojmë e të shpresojmë në mëshirë kur ne të na gjykojnë.

Përsëri për egjiptianët. Ndëshkimi i tyre në rritje

23Këndej edhe ata që jetuan padenjësisht me marrina të jetës i mundove me turpësitë e tyre.

24Sepse ata kishin shkuar larg në udhën e gabuar sa që i mbanin për hyj kafshët më të ulta e më të urryera, të çmendur në mënyrë të foshnjave të paarsyeshme.

25Kështu porsi foshnjave të paarsyeshme ua ke dërguar një ndëshkim përqeshës.

26E ata, që një qortim përqeshës nuk i përmirësoi, sprovuan ndëshkimin e denjë të Hyjit.

27Të zemëruar ndaj kafshëve që u sillnin mundime e, duke parë se po ndëshkoheshin me anë të shtazëve që vetë i mbanin për zota, panë qartë dhe e pranuan për Hyj të vërtetë, atë që më parë s’ishin dashur ta njohin. Prandaj edhe dënimi më i rëndë ra mbi ta.