Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 14

Prejardhja e nderimit të idhujve, Rrjedhojat e nderimit idhujtar

31 vargje

1Një tjetër, pastaj, përgatitet për të lundruar me qëllim që t’i përballojë valët e tërbuara, i lutet një druri më të ligshtë se druri që e mbart.

2Atë e sajoi dëshira e fitimit dhe e punoi dija e mjeshtrit,

3por atë e drejton Provania jote, o Atë, që ke dhuruar udhën nëpër det, shteg të sigurt edhe nëpër valë,

4duke dëftuar se mund ta shpëtosh nga çdo rrezik edhe nëse pa mjeshtri të duhur ndokush hyn në det.

5Sepse ti do që veprat e urtisë sate të mos jenë të pafryt, këndej njerëzit edhe drurit më të pavlershëm ia besojnë jetën e vet e, duke kaluar përmbi valë me lundër, ia dalin të shpëtojnë.

6Po, dhe dikur, kur u mbytën viganë krenarë, shpresa e njerëzimit, e strehuar në një barkë, ia la kësaj bote farën e breznive të reja, për hir të dorës sate që e drejtoi.

7Vërtet është i bekuar druri, me anë të të cilit vjen drejtësia,

8por qoftë mallkuar idhulli, i bërë nga dora e njeriut: ai dhe mjeshtri që e punoi: mjeshtri pse e punoi dhe idhulli që, i rrejshëm, quhet zot!

9Vërtet Hyji i ka bezdi keqbërësin dhe frytin e paudhërisë së tij:

10vepra dhe mjeshtri barabartë do të ndëshkohen.

11Kështu, do të ndëshkohen edhe idhujt e paganëve, sepse u bënë, mes krijesash të Hyjit, turpësi, burim shkandulli për shpirtrat e njerëzve e kurth për këmbët e të pamendve.

Prejardhja e nderimit të idhujve

12Shpikja e idhujve ka qenë fillimi i fëlligështisë dhe zbulimi i tyre solli prishjen e jetës.

13Nuk kanë qenë në fillim as nuk do të jenë përgjithmonë.

14Erdhën në botë prej kotësisë njerëzore, Prandaj edhe zhdukjen e kanë të caktuar.

15Një babë, i përvëluar nga dhimbja e vdekjes së djalit, të rrëmbyer para kohe, ia punoi figurën, dhe atë, që tani ishte njeri i vdekur, Tani filloi ta nderojë si hyj dhe të nënshtruarve u urdhëroi t’i kushtojnë mistere e fli.

16Pastaj, gjatë kohës, zakoni i patenzonë, erdhi e u bë ligj dhe, me urdhër të sunduesve, figurat e gdhendura filluan të nderohen.

17Edhe ata që njerëzit s’mund ti nderonin personalisht sepse banonin larg, për ta bërë të pranishme figurën e tyre, e punuan fytyrën e mbretit që donin të të nderonin që të papranishmin ta përkëdhelnin me zell sikurse të ishte i pranishëm.

18Të shtrihej nderimi edhe tek ata që nuk e njihnin, ndihmoi edhe ambicia e vetë artistëve:

19sepse, i shtyrë patjetër për ti pëlqyer sunduesit, bëri çmosin me mjeshtrinë e vet që figura të dilte sa më e bukur,

20kështu që njerëzit, e ngazellyer nga bukuria e veprës, atë, që pak më parë nderohej vetëm si njeri, tani filluan ta mbajnë për hyjni.

21Kështu jeta njerëzore lejoi të zihet në kurth, sepse njerëzit, fli të fatkeqësisë ose të tiranisë, ia dhanë Emrin e Hyjit gurit e drurit.

Rrjedhojat e nderimit idhujtar

22Pastaj nuk u mjaftoi gabimi në njohjen e Hyjit, por, duke jetuar në një luftë të madhe të padijes, të këqijat kaq shumë e kaq të mëdha i quajnë paqe.

23Sepse, ose flijojnë fëmijët ose kryejnë mistere të fshehta ose gosti zdërhalljesh ritesh të huaja;

24si ruajnë më të pastërta as jetën as martesën, por njëri-tjetrin e vret me tradhti ose e mundon duke shkelur kurorën.

25Gjithçka u pështjellua: gjak e vrasje, vjedhje e gënjim, prishje, pabesënikëri, kryengritje e be të rreme,

26trazim të të mirëve, paevari, përdhunim shpirtrash, mëkate kundër natyrës, shrregullim martese, kurvëri e fëlligështi.

27Sepse idhujtaria është fillimi, shkaku dhe fundi i çdo të keqeje.

28Ose luajnë deri në çmendje duke u zderhallur ose parakallëzojnë profeci të rreme ose jetojnë me padrejtësi ose lehtë përbetohen në gënjeshtër.

29Pasi e vënë shpresën e vet në idhuj të vdekur, s’presin dënim që janë përbetuar rrejshëm.

30Por për të dyja do tu takojë ndëshkimi: pse, duke u shërbyer idhujve, e shtrembëruan njohjen e Hyjit, e pse u përbetuan shtrembët dijekeqas duke përbuzur gjithçka është e shenjtë.

31Sepse jo prej pushtetit të atyre që thirren në dëshmi, por, prej ndëshkimit të ruajtur për mëkatarët, që gjithherë e godit paudhësinë e të padrejtëve.