Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 17

Antiteza e pestë: errësira e shtylla e zjarrit

20 vargje

Antiteza e pestë: errësira e shtylla e zjarrit

1Të madhërueshme janë gjyqet e tua e të patregueshme, këndej enden shpirtrat që s’duan të mësohen.

2Ndërsa të paudhët ishin të bindur se do të mund ta mbizotërojnë popullin e shenjtë, u bënë skllevër të errësirës në prangat e natës së gjatë, të kyçur nën pullazet e veta, mbetën të përjashtuar nga provania e amshueshme.

3Kujtonin se mëkatet e fshehta të fshehura do tu mbetnin, të mbuluara me mbulesë të errët të harresës; qenë shpërndarë, të goditur nga frika e tmerrshme, të tmerruar nga hijet që dukeshin.

4Po as shpellat ku strukeshin, pa frikë s’i linin, por ushtonin zëra të frikshëm rreth tyre dhe dukeshin hije të zeza me fytyrë të tmerrshme.

5S’kishte zjarr, sado i fortë, që tu bënte dritë, as dritëdhënësit qiellorë të ndritshëm s’mund ta ndritnin atë natë të përfrigueshme.

6Por u dukej vetëm një grumbull zjarri që ndizej vetë, e, i përfrigueshëm plot tmerr, dhe, kur kjo pamje u zhdukej, u dukeshin edhe më të këqija se ç’i shihnin.

7Mjeshtritë e shortarëve s’u sollën asnjë fuqi, dhe dija krenare e tyre ra poshtë me turp.

8Sepse, edhe ata që zotoheshin se do ta zhduknin frikën e ngushticën nga shpirti i vuajtur, vetë sëmureshin nga frika qesharake.

9Po edhe nëse asgjë e frikshme si trembte, të frikësuar nga kalimi i egërsirave e krisma e gjarpërinjve, vdisnin nga frika, sa që sguxonin të shihnin as ajrin, të cilit askush s’ka se si t’i ikë.

10Paudhësia vetë e dëshmon frikën e vet, sepse është e dënuar; gjithmonë shkon duke e shtuar të keqen kur ndërgjegjja nuk e lë të qetë.

11E njëmend, frika s’është gjë tjetër, por tradhti e mjeteve ndihmëse që arsyeja i jep

12e, në brendi sa më pak, ajo pret ndihmë prej tyre, aq më e rëndë i duket atij që s’e kupton shkakun e vuajtjes së vet.

13E kështu atyre, atë natë vërtet të padurueshme, të dalë nga thellësia e Nëntokës së pafuqishme, fjetur në të njëjtin gjumë,

14tani u dukeshin hije përbindshash, tani ata mekeshin pse i lëshonte zemra: pabeh e papritmas i pushtonte frika.

15Kështu secili, duke rënë ku ndodhej, mbetej i kyçur në burg të paderë e pashula.

16Si në pastë qenë fshatar ose blegtor, si edhe bujk i ngarkuar me punë fushe, ranë në vështirësi të pashmangshme: të gjithë ishin të lidhur me një varg të vetëm të territ.

17E era shushuritëse, edhe i këndshmi zë cicërues i zogjve në dega me gjethe të lëndëve e zhurma e ujit që rrjedh me vrull ose rropama e rëndë e qetave që shkëputen

18ose vrapimi i egërsirave që kërcejnë, ose ulurima e bishave të egra shurdhuese ose jehona bredhëse e shpellave të maleve shtang i ngrinte prej frikës.

19Sepse mbarë rruzulli ndriçonte nga një dritë e shkëlqyer e gjithkush i kushtohej punës së vet pa pengime.

20Vetëm mbi ta ishte shtrirë nata e thellimit, hija e errësirës e caktuar për t’i marrë: vetë ishin për vetveten më të rëndë se terri.