Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 18

Antiteza e gjashtë: natë tragjedie e lirie, Kërcënimi i shfarosjes në shkretëtirë

25 vargje

1Kurse shenjtërve të tu u ndriçonte dritë e madhe, dhe egjiptianët, zërin ua dëgjonin, por fytyrën s’ua shihnin, të lumtur i shpallnin pse s’vuanin si ata,

2u ishin mirënjohës që nuk hakmerreshin megjithëse më parë kishin qenë përndjekur dhe luteshin t’i falnin për qëndrimin e tyre armiqësor.

3Kurse izraelitëve u dhe për prijës në udhë të panjohur një shtyllë zjarri të ndezur, diell të butë në shtegtim të lavdishëm.

4Ishin njëmend të denjë të mos kishin dritë e të vuanin në burgun e errësirës ata, që mbanin të burgosur bijtë e tu nëpërmjet të të cilëve fillonte botës t’i dhurohej drita e pashueshme e Ligjit.

Antiteza e gjashtë: natë tragjedie e lirie

5Pasi kishin vendosur ti mbysin foshnjat e shenjtërve, e prej foshnjave të gjuajtura vetëm një kishte shpëtuar, ti, për t’i ndëshkuar, u more shumë fëmijë, dhe të gjithë së bashku i mbyte në ujë të tërbuar.

6Ajo natë u qe paralajmëruar etërve tanë, që ta kishin të qartë çfarë përbetimeve u kishin besuar, se s’do t’u tundej besimi në zemër.

7Pritej prej popullit tënd shpëtimi i të drejtëve e shfarosja për të padrejtët,

8sepse, siç i ndëshkove kundërshtarët, ashtu na madhërove ne duke na thirrur pranë teje.

9Atëherë bijtë e shenjtë të të drejtëve fli të kushtuan fshehurazi e ranë në përkim të gjithë së bashku për këtë ligj hyjnor: shenjtërit do ti pranojnë njëlloj si të mirat ashtu dhe rreziqet. Atëherë kënduan këngët që më parë i këndonin etërit.

10Jehonte atëherë britma e përzier e armiqve e përhapej gjëma e vajtimit të atyre që qanin fëmijët.

11Po i njëjti ndëshkim i takoi skllavit e zotërisë, pësoi njëlloj vegjëlia dhe mbreti,

12të gjithë të goditur njëherësh nga vdekja, të vdekurit ishin të panumërt. Tepër pak ishin të gjallët për t’i varrosur të vdekurit: sepse në një çast u vdiq bami më bujar.

13Edhe ata që, për shkak të shortive të veta, nuk besonin asgjë, kur u vdiqën të parëlindurit, dëshmuan se populli i Izraelit është biri i Hyjit.

14Ndërkohë mbretëronte një paqe e qetë në gjithçka, dhe nata me rrjedhën e vet të shpejtë kishte arritur në gjysmën e udhës,

15fjala jote e gjithëpushtetshme, nga qielli nga froni mbretëror, porsi luftëtari i ashpër u sul mes tokës së caktuar për shkatërrim, duke sjellë, si shpatë të mprehtë, urdhrin tënd të pandërrueshëm.

16U ndal dhe me vdekje e mbushi gjithësinë: këmbët mbi tokë e prekte qiellin.

17Egjiptianëve atëherë, papritmas, ua çoi ngusht pamja e ëndrrave të tmerrshme dhe i pushtoi një tmerr i papritur

18e kush këtu, kush atje, binin gjysmë të vdekur e dëftonin se për ç’arsye vdisnin.

19Ëndrrat tmerruese i kishin paralajmëruar që nuk do të vdisnin pa e ditur për ç’arsye i pësonin ngjarjet e tilla.

Kërcënimi i shfarosjes në shkretëtirë

20Por prova e vdekjes i goditi edhe të drejtët dhe në shkretëtirë vdiqën me shumicë, por nuk zgjati zemërimi yt.

21Sepse një njeri i patëmetë shpejtoi ti mbrojë, i mori armët e shërbesës së vet: lutjen dhe flinë shpërblyese të kemit, i doli para hidhërimit e i dha fund vështirësisë duke e dëftuar se ishte shërbëtori yt.

22E mundi zemërimin jo me fuqinë e trupit, as me forcën e armëve, por me fjalë e nënshtroi atë që vriste duke ia përkujtuar përbetimin e të parëve e besëlidhjen.

23Të vdekurit tashmë shtriheshin stom njëri mbi tjetrin dhe ai qëndroi mes tyre, e ndërpreu sulmin dhe e preu rrugën që shpiente te të gjallët.

24Sepse në petkun deri në thembra ishte mbarë rruzulli, dhe në katër rreshtat e margaritarëve emrat e lavdishëm të të parëve, ndërsa në kezën e tij rreth kokës Lartëmadhëria jote!

25Kur i pa këto, Shfaruesi zuri vend, u tremb: i doli mjaft, veç sa e kërkoi zemërimin!