Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 4

Vdekja parakohe e të drejtit, Të drejtët e keqbërësit në gjyq

20 vargje

1Më mirë është të mos kesh fëmijë por të kesh virtytin, sepse në kujtimin e virtytit është pavdekësia, virtyti është i çmueshëm para Hyjit e para njerëzve.

2Kur është pranë, i përngjajnë, kur s’është pranë, e dëshirojnë; i kurorëzuar ngadhënjen në amshim sepse fitoi në ndeshjet e padanga.

3Pasardhësia e shumtë e të patenzonëve do të jetë e kotë, pinjollët bastardë rrënjë të thella s’do të lëshojnë dhe s’do të ngulë në themel të qëndrueshëm.

4Po edhe nëse për një kohë nxjerr bulëza në gema, ashtu, e ngulur dobët, do të tundet prej erës, me rrënjë do të nxirret nga stuhia e erërave.

5Do ti copëtohen degët ende të njoma; frytet e saja do të jenë të padobishme, të papjekura për t’u ngrënë, pa kurrfarë vlere.

6Sepse fëmijët që lindin nga shtrati mëkatar janë dëshmitarë të paudhësisë së prindërve ditën e shqyrtimit gjyqësor.

Vdekja parakohe e të drejtit

7I drejti, edhe nëse vdes i ri, do të gjejë qetësi.

8Pleqëria e ndershme nuk është vjetërsia dhe s’matet nga numri i viteve:

9në të vërtetë urtia janë thinjat e njeriut dhe jeta e patëmetë është mosha e pleqërisë.

10Për shkak se diti ti pëlqejë Hyjit, Hyji e deshi, e, prej se jetoi në mes të mëkatarëve, Hyji e mori te vetja:

11qe marrë, që e keqja të mos ia prishë mendjen dhe shtiekeqësia të mos ia gënjejë shpirtin,

12sepse joshja e vesit e errëson të mirën e stuhia e lakmimit e prish shpirtin e patëkeq.

13Pasi për pak kohë ia doli të bëhet i përsosur, jetoi jetë të gjatë.

14I kishte pëlqyer Hyjit shpirti i tij, prandaj edhe shpejtoi ta nxjerrë nga rrethi i mbrapshtisë. Njerëzit shikojnë, por nuk e kupton e s’di ta marrë me mendje të vet

15se Zoti u jep hir e mëshirë të zgjedhurve të tij dhe i mbron shenjtërit e vet.

16I drejti që vdes i dënon të paudhët që janë gjallë e rinia e përsosur në pak kohë dënon pleqërinë e pambarim të mëkatarit.

17Do ta shohin vdekjen e të urtit, por s’do ta kuptojnë ç’mendim pati Hyji për të e pse Zoti e mori në vend të sigurtë.

18Do të shohin e do ta përbuzin: por Zoti do t’i përqeshë.

19S’do të vonojë e do të bëhen kufoma të urryera, diçka e urrejtshme ndër të vdekurit e përhershëm, sepse Zoti do t’i plandosë pa zë e do ti zhdukë deri në themele, do të shqimen krejtësisht, do të vuajnë ndër dhimbje dhe kujtimi i tyre do të zhduket.

Të drejtët e keqbërësit në gjyq

20E kur të bëhet shqyrtimi i mëkateve të tyre do të paraqiten plot frikë dhe fajet e tyre do të ngrihen kundër tyre.