Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 5

Vdekja parakohe e të drejtit, Të drejtët e keqbërësit në gjyq (2)

23 vargje

1Atëherë i drejti do të qëndrojë ballëlart përballë atyre që e kanë salvuar dhe që i përbuzën vuajtjet e tija.

2Posa ta shohin do ti përshkojë një tmerr i madh dhe do të çuditen për shpëtimin e tij të papritur

3e do të thonë në vetvete, të penduar, e do të rënkojnë për shkak të shpirtngushtësisë së tyre:

4“Ja ai që dikur e kemi përqeshur dhe e kemi vënë në bisht të lahutës për ta poshtëruar. Të marrë ishim ne që e çmonim marrëzi jetën e tij e mbarimin e tij të pander!

5Po tani vallë si është numëruar ndër bijtë e Hyjit dhe fati i tij na qenka të jetë me shenjtër?

6Po, se ne e paskemi gabuar udhën e të vërtetës, dhe nuk na ka ndriçuar drita e drejtësisë e për ne nuk paska pasë lindur dielli!

7Kemi qenë ngatërruar në ferrat e paudhësisë e të bjerrjes dhe ecëm udhës së shkretëtirës të papërshkueshme e nuk e kemi njohur udhën e Zotit.

8Çvlerë pati për ne madhështia? Ç’të mirë na solli pasuria me krenari?

9Kaluan të gjitha porsi hije, si lajmi që jepet në vrapim,

10si anija që e përshkon ujët me valë, kalimit të së cilës nuk mund t’i gjendet gjurmë as hullisë të kurrizit të saj mbi valë;

11si shpendi që fluturon nëpër ajër e nuk lë shenjë të kalimit të vet: çan ajrin e lehtë rrahja e flatrave ai ndahet nga forca e të sjellurave dhe pershkohet nga krahët në lëvizje, por, pas kalimit, kurrfarë shenjë e udhës nuk mbetet;

12ose edhe porsi shigjeta e lëshuar në vend të caktuar: ajri ndahet, por menjëherë kthehet në vend të vet dhe kështu s’mund t’i dihet udha e kalimit të saj.

13Kështu edhe ne, posa lindëm, menjëherë vdiqëm, nuk mundëm as ta dëftojmë shenjën e virtytit, në paudhësinë tonë krejtësisht u shuam”.

14Vërtet, shpresa e të patenzonit është si hedha që e mbart era, porsi shkuma e hollë që e zhduk stuhia, porsi tymi që e shpërdan era, kalon porsi kujtimi i mikut të njëditshëm.

15Kurse të drejtët jetojnë gjithmonë, shpërblimi i tyre është në dorën e Zotit, i Tejetlarti përkujdeset për ta.

16Prandaj edhe do ta marrin kurorën e lavdisë, një kezë të bukur nga dora e Zotit, sepse e djathta e tij do t’u dalë zot e krahu i tij do t’i mbrojë.

17Zellin e vet ai do ta marrë për armë, krijesën do ta armatosë për të ndëshkuar armiqtë,

18për mburojë do të veshë drejtësinë, për përkrenare do të marrë gjyqin e e pagabueshëm,

19për shqyt të pathyeshëm do të marrë shenjtërinë.

20Zemërimin e vet të ashpër do ta mbrehë për heshtë, dhe rruzulli do të luftojë bashkë me të kundër të patenzonëve.

21Do të shkojnë mirë të drejtuara gjuajtjet e rrufeve dhe, si prej harkut të ngrehur mirë, nga retë do të sulen drejt e në shenjë,

22me bahe gurhedhëse do të hidhen kokrra breshëri të mbushura me zemërimi; kundër tyre do të tërbohet ujët e detit, lumenjtë do t’i vërshojnë pa mëshirë.

23Një erë e fuqishme do të ngrihet kundër tyre dhe do t’i shpartallojë porsi vorbulla. Kështu paudhësia do ta shkretojë mbarë dheun, mbrapshtia do ti rrëzojë fronet e pushtetmëdhenjve.