Të gjithë kapitujt

Urtësia · Kapitulli 8

Urtia, bashkëshortja ideale e Salomonit, Urtia është e domosdoshme për sundimtarë, etj.

21 vargje

1Ajo e shtrin fuqinë skaj më skaj të botës dhe e drejton rruzullin me mirësi të këndshme.

Urtia, bashkëshortja ideale e Salomonit

2Këtë e desha dhe e kërkova që prej rinisë sime, bëra të pamundurën për ta marrë bashkëshorte dhe u dashurova në bukurinë e saj.

3Bujarinë e saj ia madhëron bashkëjetesa me Hyjin sepse e do Zotëruesi i gjithësisë.

4Sepse ajo është mësuesja e dijes së Hyjit dhe zgjedhësja e veprave të tija.

5Nëse pasuria është kamje e dëshirueshme në këtë jetë, çka është atëherë më e dobishme se urtia që gjithçka prodhon?

6E në qoftë se është mendja ajo që vepron, cili ndër qeniet është më mjeshtër se ajo?

7Nëse ndokush e do drejtësinë, virtytet janë rrjedhoja e veprimit të saj: sepse ajo e mëson përkoren e mençurinë, drejtësinë e trimërinë shpirtërore, që në jetë për njerëz asgjë s’ka më të dobishme.

8Nëse ndokush dëshiron dije më të lartë, ajo njeh të kaluarën, e parasheh të ardhmen, di të shtjellojë fjalët e urta e të zgjidhë enigmat, i parasheh shenjat e mrekullitë si dhe rrjedhën e epokave dhe të kohëve.

Urtia është e domosdoshme për sundimtarë

9Këndej edhe vendosa ta marr për shoqe jete, sepse e di se do të më jetë këshilltare në të mira dhe ngushëllimtare në kujdese e në vuajtje.

10Në saje të saj zë të mirë do të kem në popull e ndër pleq nder, megjithëse jam i ri;

11në pleqërime do të dal i hollë, e të mëdhenjtë, kur të më shohin, do të mrekullohen.

12Kur të hesht, do të presin të flas, kur të flas, sytë s’do të m’i ndajnë, nëse do ta zgjas fjalën time, gojës së vet do ti vënë dorën.

13Me anë të saj do të fitoj pavdekësinë, do t’u lë kujtim të përhershëm atyre që pas meje do të vijnë.

14Do ti sundoj popujt dhe kombet do të më jenë të nënshtruara.

15Do të tremben mbretërit e tmerrshëm kur për mua të dëgjojnë. Me popullin tim do të jem i mirë kurse në luftë trim i fortë.

16Kur në shtëpi të kthehem pranë saj do të pushoj, sepse në shoqëri me të s’mund të ketë mërzi, bashkëjetesa me të nuk sjell vuajtje, por gëzim dhe hare.

Salomoni kërkon urtinë

17Duke i përbluar këto mendime në vete dhe duke përkujtuar në zemrën time se pavdekësia është afër me urtinë,

18në miqësinë e saj gëzim i pastër, në duart e punës së saj pasuri e pashtershme, në grindje bisede me të mençuria, zë i mirë në shkëmbim bisedimi me të, vend s’lashë pa kërkuar për ta marrë atë.

19Isha djalosh me natyrë bujare e pata fat ta kisha shpirtin e mirë,

20madje, pasi isha i mirë, kisha hyrë në trup të pandotur,

21dhe, duke e ditur se ndryshe s’do ta kisha fituar vetëm nëse do të ma dhuronte Hyji - e mençuri ishte vetë kjo gjë të dija se dhuratë e kujt është - u solla kah Zoti dhe iu luta dhe me gjithë shpirt i thashë: