Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 25

Pali apelon Cezarin, Pali para mbretit Agripa e para Berenikës

27 vargje

Pali apelon Cezarin

1Festi, pra, tri ditë pasi erdhi në provincë, shkoi prej Cezaresë në Jerusalem.

2Kryepriftërinjtë dhe paria e judenjve i paraqitën padinë kundër Palit dhe e përbetonin

3t’ju bënte këtë nder kundër Palit: ta sillte në Jerusalem. Ata kishin bërë gati pritën për ta mbytur në udhëtim.

4Por Festi u përgjigj se Pali do të mbetej i burgosur në Cezare dhe se edhe ai do të shkonte së shpejti atje.

5“Të fuqizuarit, pra, ‑ u tha ‑ le të vijnë me mua e, nëse në atë njeri ka ndonjë faj, le ta padisin.”

6Festi u ul në Cezare pasi ndenji tek ata tetë ose më së shumti dhjetë ditë. Të nesërmen hipi në selinë e gjykatores dhe urdhëroi të sillej Pali.

7Kur erdhi Pali, e rrethuan judenjtë që kishin zbritur prej Jerusalemit dhe bënë kundër tij padi të shumta e të rënda, të cilat nuk ishin në gjendje t’i vërtetonin.

8Kurse Pali mbrohej: “Kurrfarë faji s’kam bërë as kundër Ligjit të judenjve, as kundër Tempullit e as kundër Cezarit.”

9Atëherë Festi, duke dashur t’ua plotësonte dëshirën judenjve, i tha Palit: “A do të shkosh në Jerusalem e atje të gjykohesh për këtë punë para meje?”

10Pali iu përgjigj: “Qëndroj para gjykatores së Cezarit, ku duhet të gjykohem. Judenjve s’u kam bërë farë faji, sikurse edhe ti vetë e di fare mirë.

11E, në qoftë se kam bërë ndonjë krim që meriton vdekjen, nuk i iki vdekjes; por, në qoftë se s’janë të vërteta paditë e tyre, askush s’ka të drejtë të më japë dhuratë atyre. Kërkoj të gjykohem para Cezarit!”

12Festi atëherë, pasi u këshillua me këshilltarët, u përgjigj: “Iu drejtove Cezarit, te Cezari do të shkosh!”

Pali para mbretit Agripa e para Berenikës

13Pasi kaluan disa ditë, erdhën në Cezare mbreti Agripa dhe Berenika për të përshëndetur Festin.

14Pasi aty qëndruan për disa ditë, Festi ia paraqiti mbretit çështjen e Palit. I tha: “Është këtu një njeri, të cilin Feliksi e la në burg.

15Kur isha në Jerusalem, kryepriftërinjtë dhe paria e judenjve e paditën para meje dhe kërkuan ta dënoja.

16Unë iu përgjigja se ndër romakët nuk është zakon të lëshohet ndokush në dorë të ndokujt para se i padituri të ndësynohet me paditësit e ta ketë mundësinë të mbrohet prej akuzës.

17Pasi zbritën së bashku me mua këtu, pa vonuar, ditën e nesërme, hipa ne selinë e gjykatores dhe urdhërova të sillej ai njeri.

18Paditësit e rrethuan, por nuk e paditën për asnjë krim që unë mendoja;

19kishin kundër tij disa gjëra lidhur me besimin e tyre e lidhur me një farë Jezusi që ka vdekur, por që Pali pohon se është i gjallë.

20Dhe vetë, pasi s’dija si të bëja në një proçes të tillë, e pyeta a mos dëshironte të përgjigjej për këtë gjë në Jerusalem, në gjyq.

21Por, pasi Pali kërkoi të dalë në gjyq para Lartmadhërisë, urdhërova të ruhej derisa ta përcillja te Cezari.”

22“Kam dëshirë ta dëgjoj edhe vetë këtë njeri” ‑ i tha Agripa Festit. “Nesër do ta dëgjosh” ‑ iu përgjigj Festi.

23Ditën e nesërme erdhën Agripa e Berenika me shkëlqim të madh dhe hynë në sallën e pritjes bashkë me oficerë të lartë e me njerëzit më të zgjedhur të qytetit. Në urdhër të Festit e sollën Palin.

24Atëherë Festi tha: “Mbret Agripë dhe ju të gjithë të tjerët që jeni këtu me ne! Shikojeni këtë njeri! Mbarë populli i Judesë më ka rënë në derë në lidhje me të në Jerusalem e këtu, duke bërtitur se ky njeri s’duhet të jetojë më!

25Por unë jam plotësisht i bindur se nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen e, pasi ai vetë kërkoi të dalë në gjyq para Lartmadhërisë, vendosa ta dërgoj.

26Pasi nuk kam asnjë të dhënë të sigurt që t’ia shkruaj Zotërisë për të, po e qes para jush, sidomos para teje, Mbreti Agripë, që, pas këtij shqyrtimi, të kem çka të shkruaj.

27E njëmend, më duket krejtësisht e paarsyeshme të dërgoj të burgosurin e të mos e shënoj padinë e tij.”