Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 26

Pali mbrohet para Agripës, Pali flet për kthimin e vet, etj.

32 vargje

Pali mbrohet para Agripës

1Atëherë Agripa i tha Palit: “Ke leje të mbrohesh!” Pali e shtriu dorën dhe nisi të mbrohet:

2“Mbret Agripa! E mbaj veten fatlum që, ja, sot më takoi të arsyetohem para teje për të gjitha çështjet me të cilat më padisin judenjtë,

3sepse ti i njeh fare mirë të gjitha zakonet dhe mosmarrëveshjet e judenjve. Prandaj, të lutem, më dëgjo me durim!

4Jetën time, që prej rinisë më të hershme, të kaluar mes popullit tim, në Jerusalem, e njohin të gjithë judenjtë.

5Ata më njohin qëmoti e, nëse duan, mund ta dëshmojnë se kam jetuar sipas mënyrës më të ashpër të fesë sonë, si farise.

6Dhe tani po gjykohem për shkak të shpresës në premtimin që Hyji ua bëri etërve tanë.

7Po këtë premtim, dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë vazhdimisht Hyjit natë e ditë, e presin me afsh të plotësohet. Pikërisht për shkak të kësaj shprese, o mbret, po më padisin judenjtë.

8Përse të çmohet e pabesueshme prej jush se Hyji i kthen të vdekurit në jetë?

9Po! Edhe unë dikur kam qenë i mendimit se më duhet ta luftoj me të gjitha fuqitë Emrin e Jezusit prej Nazaretit.

10Këtë gjë e kam bërë në Jerusalem: shumë shenjtër, pasi mora autorizimin prej kryepriftërinjve, i futa në burg e, kur i dënonin me vdekje, edhe unë votoja kundër tyre.

11Për më tepër, nëpër mbarë sinagogat, shpeshherë duke përdorur, torturat, jam munduar t’i bëj të blasfemojnë dhe, i tërbuar pa masë në hidhërim kundër tyre, i kam salvuar edhe në qytetet e huaja.”

Pali flet për kthimin e vet

12“Në këtë gjendje shpirtërore, me fuqizim e autorizim të kryepriftërinjve, u nisa të shkoj në Damask.

13Isha duke udhëtuar ‑ e ishte pika e mesditës – dhe ja, o mbret, shoh se po vjen prej qiellit një dritë më e shndritshme se dielli ‑ më mbuloi me dritë mua dhe bashkudhëtarët e mi.

14Të gjithë ramë për tokë e unë dëgjova një zë që më tha hebraisht: ‘Saul, Saul, pse po më salvon? Vështirë e ke të hedhësh shqelma kundër hostenit!’

15Unë thashë: ‘Kush je, o Zot?’ E Zoti u përgjigj: ‘Unë jam Jezusi që ti e salvon!

16Por çohu, drejtohu në këmbët e tua! Ja, përse t’u dëftova: dua të të bëj shërbyes dhe dëshmitar të këtij vegimi dhe të vegimeve të tjera që do të kesh.

17Unë do të të shpëtoj prej popullit hebre dhe prej paganëve, te të cilët po të dërgoj

18për t’u hapur sytë e për t’i kthyer prej territ në dritë, prej pushtetit të djallit te Hyji, që ta fitojnë faljen e mëkateve dhe të kenë pjesë në trashëgimin e të shenjtëruarve me anë të besimit në mua. ’”

Pali, dëshmitari i Jezusit për judenj e për paganë

19“Që atëherë, o mbret Agripa, nuk i kundërshtova vegimit qiellor,

20por u kam predikuar, më së pari atyre në Damask e atëherë edhe atyre në Jerusalem, mbarë dheut të hebrenjve e të paganëve që të pendohen e të kthehen kah Hyji, duke jetuar në mënyrën që i përket këtij kthimi.

21Për këtë arsye judenjtë më kapën në Tempull e deshën të më vrisnin.

22Me ndihmën e Hyjit, ja, deri në ditën e sotme po vazhdoj t’i jap dëshmi të madhit e të voglit, pa thënë tjetër vetëm çka kanë parafolur profetët e Moisiu se do të ndodhë:

23Krishti do të pësojë dhe se Ai, i pari i ngjallur ndër të vdekurit, do t’i lajmërojë Popullit hebre dhe paganëve dritën e shëlbimit.”

Pali i bën apel besimit e Agripës

24Ndërsa Pali po mbrohej në këtë mënyrë, Festi me zë të lartë i tha. “Të ka lënë mendja, o Pal! Dija e madhe t’i ka marrë mendtë!”

25E Pali: “Jo, nuk më ka lënë mendja, o i përndritshmi Fest, ‑ i tha ‑ por flas fjalë të vërteta e të arsyeshme.

26Sepse edhe mbreti, të cilit po i drejtohem me liri e bindje, i di mirë të gjitha këto dhe jam plotësisht i bindur se asgjë prej këtyre nuk i është e panjohur, sepse këto nuk kanë ngjarë diku në një skaj të fshehtë.

27Ti, o mbreti Agripë, a u beson profetëve? E di se u beson!”

28Atëherë Agripa i tha Palit: “Me pak mund po mundohesh të ma mbushësh mendjen se më bëre të krishterë.”

29Pali u përgjigj: “Edhe pak a edhe shumë, e bëftë Hyji që, jo vetëm ti, por edhe të gjithë këta që po më dëgjojnë sot të bëhen mu si jam unë... me përjashtim veç të këtyre prangave.”

30Atëherë u ngritën mbreti, sundimtari, Berenika dhe ata që kishin marrë pjesë me ta në mbledhje.

31Duke u shpërndarë i thoshin njëri‑tjetrit: “Ky njeri s’bën asgjë që të meritojë vdekjen ose prangat.”

32Agripa i tha Festit: “Ky njeri ka mundur të lirohet që më parë po të mos kishte kërkuar të gjykohet para perandorit.”