Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 27

Pali niset për Romë, Stuhia e detit, etj.

44 vargje

Pali niset për Romë

1Kur u pru vendimi të udhëtojmë për Itali, Palin me disa të burgosur të tjerë ia dhanë në dorëzim një centurioni që quhej Jul e ishte prej kohortës Auguste.

2hipëm, pra, në një anije adramitine, e cila udhëtonte gjatë porteve të detit të Azisë, dhe u nisëm. Me ne ishte Aristarku, një maqedon nga Selaniku.

3Të nesërmen arritëm në Sidon. Juli, që sillej njerëzisht me Palin, i dha leje të shkojë ndër miq për të marrë ndonjë shërbim prej tyre.

4Prej andej morëm detin e lundruam afër Qipros ‑ sepse i kishim erërat e kundërta ‑

5dhe kaluam detin gjatë brigjeve të Cilicisë e të Pamfilisë dhe arritëm në Mirën e Licisë.

6Këtu centurioni gjeti një anije nga Aleksandria që udhëtonte për Itali dhe na ngarkoi në të.

7Për shumë ditë udhëtuam ngadalë dhe mezi arritëm në Knid. E, pasi era nuk ua lejoi të ndalej anija në port, vazhduam për nën Kretë, në anë të Salmonës

8dhe mezi e kaluam e arritëm në një vend që quhet “Portet e Mira” afër të cilit është qyteti i Lasejës.

9Por, pasi kishte kaluar shumë kohë, kështu që lundrimi ishte bërë i rrezikshëm ‑ sepse kishte kaluar Agjërimi i madh ‑ Pali i këshilloi:

10“Burra ‑ u thoshte ‑ unë shoh se lundrimi do të dalë me vështirësi dhe me dëm të madh, jo vetëm për mallra e për anije, por edhe për jetën tonë.”

11Por centurioni më tepër i besonte timonierit e të zotit të anijes se sa vërejtjeve të Palit.

12E, pasi porti nuk ishte i përshtatshëm për të kaluar dimrin, shumica propozuan të nisemi prej andej, me shpresë që ta arrinim Feniksin, një port të Kretës, që është i çelur nga jugperëndimi e veriperëndimi dhe aty ta kalonim dimrin.

Stuhia e detit

13Ndërkaq, u çua një puhi e lehtë shiroku, ata pleqëruan se ky mendim mund të realizohej, hoqën spirancën dhe lundruan gjatë bregut të Kretës.

14Por pas pak kohe u tërbua një erë e fortë, që quhet veri‑lindore.

15Anija e rrëmbyer, u bë e paaftë t’i qëndrojë erës; ne u lëshuam të na hedhë andej e këndej.

16Duke lundruar në shtrojerën e një ishulli të vogël, që quhet Kauda, mezi mundëm ta kapnim sandallin e shpëtimit.

17Kur e ngritën në barkë, i përdorën veglat e shpëtimit: me litar e ngjeshëm anijen. Prej frikës që të mos mbesim në zall, në Sirtë, e lëshuan spirancën notuese. Kështu barteshim andej‑këndej.

18Pasi stuhia na rrahte me tërbim, të nesërmen, hodhën mallrat në det

19e të tretën ditë, me duar të veta hodhën veglat e pajisjet e anijes.

20Për shumë ditë nuk u pa as dielli as yjet; stuhia tërbohej gjithnjë e më tepër: kishte humbur çdo shpresë se do të shpëtojmë.

21Për një kohë të gjatë askush s’kishte ngrënë. Atëherë Pali u ngrit në mes e tha: “More burra, është dashur të më kishit dëgjuar e mos ta kishim lënë Kretën; i kishim shpëtuar këtij rreziku e dëmi.

22Por tani po ju porosis: merrni zemër, sepse asnjë prej jush nuk do të birret, me përjashtim të anijes.

23Sonte m’u lajmërua engjëlli i Hyjit, të cilit i përkas dhe të cilit i shërbej

24e më tha: ‘Mos ki frikë, Pal, ti duhet të dalësh para Cezarit dhe, ja, Hyji do t’ua falë jetën të gjithë atyre që lundrojnë me ty!’

25Prandaj, merrni zemër, o vëllezër! Unë i besoj Hyjit e s’mund të ndodhë ndryshe përveçse si më ka thënë Ai.

26Na duhet të ndeshemi patjetër në një ujdhesë.”

27Ishte e katërmbëdhjeta natë që na rrahte stuhia andej e këndej në Detin e Mesdheut, kur, diku rreth mesnatës, detarët e morën me mend se po i afroheshim tokës.

28Si hodhën plumbçin, gjetën tridhjetë pashë thellësi; pak më vonë e hodhën përsëri dhe gjetën pesëmbëdhjetë pashë.

29Pasi druanin se mos përplaseshin me shkëmbinj, hodhën katër spiranca prej popes e pritnin me afsh të zbardhte drita.

30Kur detarët, me mendim të iknin nga anija, ulën sandallin në det, gjasme donin të hidhnin spirancat nga kiçi,

31Pali i tha centurionit dhe ushtarëve. “Nëse këta nuk rrinë në anije, ju s’do të shpëtoni.”

32Atëherë ushtarët i prenë konopët e sandallit dhe e lanë të bjerë në det.

33Duke pritur të agonte drita, Pali i nxiste të gjithë të hanin bukë. U thoshte: “Është e katërmbëdhjeta ditë që pa farë ushqimi prisni me zemërim e nuk hani gjë.

34Ju lutem, pra, hani se ju vlen për shpëtimin tuaj! Prapë po ju siguroj se asnjërit prej jush as një fije floku prej kresë s’do t’i humbasë!”

35Si i tha këto fjalë, mori bukën, falënderoi Hyjin në sy të të gjithëve, e theu dhe filloi të hajë.

36Atëherë të gjithë morën zemër, morën edhe ata e hëngrën.

37Ishim në anije të gjithë së bashku dyqind e shtatëdhjetë e gjashtë vetë.

38Pasi u nginë, nisën ta lehtësojnë anijen duke e hedhur grurin në det.

Anija thyhet

39Kur zbardhi drita, detarët nuk e njohën tokën. Hetuan një gji në breg të rrafshtë dhe vendosën, nëse do të ishte e mundur, ta shtienin anijen atje.

40I zgjidhën spirancat dhe i lanë në det. Njëkohësisht zgjidhën edhe të lidhmet e timonit, e ngrehën velin paranik në drejtim të erës dhe u drejtuan nga bregu.

41Por hasën në cektinë e anija u ngul në rërë: pjesa e parë e ngulur nuk luante vendit, kurse kiçin e shkallmonte stuhia e valëve.

42Atëherë ushtarët menduan t’i mbysin të burgosurit, prej frikës se ndonjëri prej tyre, pasi të shpëtojë me not, do të ikë.

43Por centurioni, pse donte ta shpëtonte Palin, nuk i la ta çonin në vend këtë mendim: dha urdhër që ata që dinin not të kërcenin të parët në ujë e të dilnin në tokë,

44kurse të tjerët le të shpëtonin, kush me dërrasë e kush me copa të thyera të anijes. Kështu të gjithë dolën në tokë shëndoshë e mirë.