Të gjithë kapitujt

Veprat e Apostujve · Kapitulli 3

Shërimi i çalamanit para derës së Tempullit, jalimi i Pjetrit në tremen e Salomonit

26 vargje

Shërimi i çalamanit para derës së Tempullit

1Pjetri e Gjoni po shkonin në Tempull për lutjen e orës nëntë.

2Pikërisht atëherë po sillnin një njeri të çalë që prej lindjes. Atë e sillnin përditë te dera e Tempullit, te ajo që quhet “E bukura” për të lypur lëmoshë prej atyre që hynin në Tempull.

3Ai, kur pa Pjetrin e Gjonin duke hyrë në Tempull, lypi (për të marrë) lëmoshë.

4Pjetri atëherë, bashkë me Gjonin, ia nguli sytë dhe i tha: “Na shiko!”

5Ai po i vërente me kujdes duke shpresuar se do të merrte ndonjë gjë.

6Atëherë Pjetri i tha: “Unë nuk kam as argjend, as ar, por po të jap çka kam: në Emër të Jezu Krishtit Nazarenas, ec!”

7E kapi nga dora e djathtë dhe e ngriti në këmbë. Aty për aty iu forcuan këmbët dhe nyjet;

8kërceu, u drejtua, filloi të ecë dhe hyri në Tempull: ecte, kërcente dhe lavdëronte Hyjin.

9Mbarë populli e pa duke ecur dhe duke lavdëruar Hyjin.

10E njohën se ishte ai që ndenjur para derës “Së bukur” të Tempullit lypte lëmoshë dhe mbetën shtang të hutuar prej mrekullisë dhe prej habisë për çka i ndodhi atij.

jalimi i Pjetrit në tremen e Salomonit

11Pasi i shëruari nuk ndahej prej Pjetrit e Gjonit, mbarë populli, i mrekulluar, ngarendi tek ata në tremen që quhet e Salomonit.

12Pjetri, kur i pa, iu drejtua popullit: “Burra të Izraelit, pse po çuditeni për këtë gjë? Pse po na shikoni thuajse ne me fuqinë tonë dhe me përshpirtërinë tonë kemi bërë që ky të ecë?

13‘Hyji i Abrahamit, [Hyji] i Izakut, [Hyji] i Jakobit, Hyji i etërve tanë e lavdëroi Shërbëtorin e vet Jezusin, të cilin ju e dorëzuat në vdekje dhe i ratë mohit përpara Pilatit, kur ky kishte vendosur ta lironte.

14Ju i ratë mohit Shenjtit dhe të Drejtit, e kërkuat që t’ju falej gjakësori

15kurse Jetëdhënësin e vratë. Por Atë Hyji e ngjalli prej të vdekurve, për çka ne jemi dëshmitarë.

16Dhe në saje të fesë në Emrin e Jezusit, pikërisht Emri i Jezusit i dha forcë këtij njeriu që ju e njihni e po e shihni. Feja në Të ia ktheu shëndetin e plotë këtij njeriu në sy të të gjithë juve.

17Por tani, o vëllezër, unë e di se, si ju si krerët tuaj, e bëtë atë gjë prej padijes.

18Por në këtë mënyrë Hyji e çoi në vend atë që e kishte paralajmëruar me gojë të të gjithë profetëve: se Mesia i tij do të pësonte.

19Pendohuni, pra, e kthehuni, që t’ju shlyhen mëkatet.

20Atëherë Zoti do të çojë ditë ngushëllimi e do t’ju dërgojë Mesinë që për ju e kishte paracaktuar, d. m. th. Jezusin.

21Tani për tani Jezusi duhet të qëndrojë në qiell deri në kohën e ripërtëritjes së gjithmbarshme, për të cilën Hyji ka folur përmes gojës së profetëve të vet të shenjtë ‑ që prej kohërave të lashta.

22Edhe vetë Moisiu tha: ‘Zoti, Hyji juaj, do të ngrejë prej mesit të vëllezërve tuaj një profet sikurse mua; dëgjojeni atë gjithçka t’ju thotë!

23Kushdo që s’ka për ta dëgjuar atë Profet, le të çrrënjoset prej popullit.’

24Po edhe të gjithë profetët ‑ që folën që prejSamuelit e këtej ‑ gjithashtu i paralajmëruan këto ditë.

25Ju jeni bij profetësh dhe bij të Besëlidhjes që Hyji bëri me etërit tuaj, kur i tha Abrahamit: ‘Në saje të pasardhësve të tu do të bekohen të gjitha fiset e tokës.’

26Për ju, pra, më së pari Hyji e ngriti Shërbëtorin e vet dhe e dërgoi për t’ju bekuar ‑ që secili prej jush t’u shmanget veprave të veta të këqija.”