Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 11

Kulla e Babelit, Patriarkët pas përmbytjes, etj.

32 vargje

Kulla e Babelit

1Mbarë toka kishte vetëm një gjuhë dhe fjalët e njëjta.

2Kur u çuan prej lindjes, gjetën një fushë në dheun e Senaarit dhe aty ngulën banimin.

3I thanë njëri-tjetrit: »Ejani të presim tulla dhe t’i pjekim në zjarr.« Tullat i përdorën në vend të gurëve e bitumin në vend të llaçit.

4Dhe thanë: »Ejani ta ngrehim për vete një qytet dhe pirg, maja e të cilit do të prekë qiellin. T’ia rrisim vetes zërin që të mos shpërndahemi faqes së dheut«.

5Zoti zbriti përmbi tokë për të parë qytetin dhe pirgun që e ndërtuan njerëzit.

6Zoti tha: »Njëmend qenkan një popull dhe paskan vetëm një gjuhë! Ky është fillimi i veprimtarisë së tyre dhe tash e tutje nuk do ta kenë vështirë të kryejnë gjithçka të synojnë.

7Ejani, pra, të zbresim e t’ua pështjellojmë këtu gjuhën e tyre, që të mos mund të merren vesh njëri me tjetrin.«

8Prej andej Zoti i shpërndau nga ai vend mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe ata pushuan së ndërtuari qytetin.

9Prandaj edhe quhet Babel, sepse aty u pështjellua gjuha e mbarë tokës dhe prej andej Zoti i shpërndau mbi faqen e dheut.

Patriarkët pas përmbytjes

10Këta janë pasardhësit e Semit: Semi kishte njëqind vjet kur i lindi Arfaksadi dy vjet pas përmbytjes.

11Semi jetoi, pasi i lindi Arfaksadi, pesëqind vjet dhe i lindën djem e vajza.

12Kurse Arfaksadi kishte tridhjetë e pesë vjet kur i lindi Saleu.

13Arfaksadi jetoi, pasi i lindi Saleu, katërqind e tre vjet dhe i lindën djem e vajza.

14Saleu kishte tridhjetë vjet kur i lindi Heberi.

15Saleu jetoi, pasi i lindi Heberi, katërqind e tre vjet dhe i lindën djem e vajza.

16Heberi kishte tridhjetë e katër vjet kur i lindi Falegu.

17Heberi jetoi, pasi i lindi Falegu, katërqind e tridhjetë vjet dhe i lindën djem e vajza.

18Edhe Falegu kishte tridhjetë vjet dhe i lindi Reu.

19Falegu jetoi, pasi i lindi Reu, dyqind e nëntë vjet dhe i lindën djem e vajza.

20Reu kishte tridhjetë e dy vjet kur i lindi Sarugu.

21Edhe Reu jetoi, pasi i lindi Sarugu, dyqind e shtatë vjet dhe i lindën djem e vajza.

22Sarugu kishte tridhjetë vjetë kur i lindi Nahori.

23Edhe Sarugu jetoi, pasi i lindi Nahori, dyqind vjet dhe i lindën djem e vajza.

24Nahori kishte njëzet e nëntë vjet kur i lindi Tareu.

25Nahori jetoi, pasi i lindi Tareu, njëqind e nëntëmbëdhjetë vjet dhe i lindën djem e vajza.

26Tareu kishte shtatëdhjetë vjet kur i lindi Abrami, Nahori e Arani.

Trashëgimtarët e Tareut

27Këta janë pasardhësit e Tareut: Tareut i lindi Abrami, Nahori e Arani. Aranit i lindi Loti.

28Arani vdiq para babës së vet, Tareut, në vendlindjen e vet, në Ur të Kaldenjve.

29U martuan edhe Abrami e Nahori. Gruaja e Abramit quhej Sarajë, kurse gruaja e Nahorit Melhë. Ishte bija e Aranit, e t’et të Melhës dhe të Jeskës.

30Saraja ishte beronjë dhe nuk kishte fëmijë.

31Tareu mori të birin, Abramin, dhe Lotin, birin e Aranit, të birit të vet edhe Sarajën, renë e vet, gruan e Abramit, të birit të vet dhe i nxori nga Uri i Kaldenjve për të shkuar në dheun e Kanaanit. Arritën në Harran dhe aty ngulën.

32Mosha e Tareut kapi dyqind e pesë vjet e atëherë vdiq në Harran.