Të gjithë kapitujt

Zanafilla · Kapitulli 23

Varri i patriarkëve

20 vargje

Varri i patriarkëve

1Sara jetoi njëqind e njëzet e shtatë vjet

2kur edhe vdiq në Kariatarbee, d.m.th. në Hebron, në dheun e Kanaanit. Abrahami i qiti vajin dhe i bëri salikimin Sarës.

3Në kohën e kremtimit të vajit, Abrahami u ngrit në këmbë dhe iu drejtua me këto fjalë bijve të Hetit:

4»Unë jam i huaj dhe endacak ndër ju. Ma shitni një copë vend ndër ju për varr që të mund ta varros të ndjerën time.«

5Bijtë e Hetit i përgjigjën:

6»Dëgjo, imzot! Ti je ndër ne princ i Hyjit. Varrose të ndjerën tënde në varrin tonë më të mirin! S’ka njeri që ta ndalon ta varrosësh të ndjerën tënde në varrin e tij!«

7Abrahami u ngrit dhe u përkul në nderim para popullit të vendit, d.m.th. para bijve të Hetit

8dhe u tha: »Nëse vërtet pranoni ta marr e ta varros të ndjerën time, kini mirësinë e ndërmjetësoni për mua tek Efroni, tek i biri i Seorit,

9që të ma japë shpellën e Makpelës, që e ka në fund të arës së vet. Të ma japë para jush me para me çmim të vërtetë si pronë varrezash.«

10Efroni rrinte ndenjur midis bijve të Hetit. Efron Heteu i përgjigji Abrahamit - dhe e dëgjuan të gjithë hetenjtë, të gjithë ata që ishin të aftë të dëshmojnë - me këto fjalë:

11»Më dëgjo, imzot! Jo ashtu! Unë po ta jap arën dhe shpellën që është në të në praninë e bijve të popullit tim. Varrose të ndjerën tënde!«

12Abrahami u përkul në nderim para popullit vendës

13dhe i tha Efronit në praninë e vendësve: »Po të lutem, ma dëgjo fjalën! Unë po ta paguaj çmimin e arës: merre prej meje dhe kështu do ta varros në të të ndjerën time.«

14Efroni i përgjigji Abrahamit dhe i tha:

15»Dëgjo, imzot! Një copë tokë katërqind siklash argjendi s’është me rëndësi as për mua as për ty. Varrose lirisht të ndjerën tënde!«

16Abrahami e pranoi çmimin e Hefronit dhe i peshoi paratë që Hefroni kërkoi në praninë e hetenjve, d. m. th. katërqind sikla të argjendta sipas monedhës që ishte në treg.

17Kështu ara e Efronit, në Makpelë, para Mambresë, si ara ashtu edhe shpella në të, si edhe të gjitha pemët brenda kufijve të saj përreth,

18u bënë pronë e Abrahamit në praninë e të gjithë bijve të Hetit që merrnin pjesë në këshillin e qytetit.

19Atëherë Abrahami e varrosi Sarën, gruan e vet, në shpellën e arës së Makpelës, që është kundruall Mambresë - d.m.th. Hebronit - në dheun e Kanaanit.

20Hetenjtë ia përforcuan Abrahamit për pronë varrezash arën dhe shpellën që ishte në të.