Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 11

Dy dëshmitë, Trumbeta e shtatë

19 vargje

Dy dëshmitë

1Atëherë m’u dha një kallam që i ngjante shkopit dhe m’u tha: »Ngritu dhe mate tempullin e Hyjit, lterin dhe ata që adhurojnë në të!

2Avllinë që është përjashta tempullit lëre m’anë dhe mos e mat, sepse ajo u la paganëve që do ta shkelin qytetin e shenjtë për dyzet e dy muaj.

3Unë do t’i dërgoj dy dëshmitarë të mi, të veshur me petk zie e pendese dhe do të profetizojnë një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

4Ata janë dy ullinj dhe dy shandana që qëndrojnë para Zotëruesit të dheut.

5Nëse ndokush do t’u bëjë keq, nga goja e tyre del zjarr dhe i përpin armiqtë e tyre. Për të vërtetë, nëse ndokush do t’i dëmtojë, do të mbarojë në këtë mënyrë!

6Këta kanë pushtet ta mbyllin qiellin të mos bjerë shi ndër ditët kur ata profetizojnë; gjithashtu kanë pushtet ta shndërrojnë ujin në gjak dhe të sjellin mbi dhe çdo plagë sa herë të duan.

7Kur ta kryejnë dëshmimin e vet, Egërsira që del nga Humnera, do të bëjë luftë me ta, do t’i mundë dhe do t’i vrasë.

8Kufomat e tyre do të rrinë mbi dhe në tregun e qytetit të madh që simbolikisht quhet Sodoma dhe Egjipti, ku edhe Zotëria i tyre qe kryqëzuar.

9Njerëzit prej të gjithë popujve, prej të gjitha fiseve, prej të gjitha gjuhëve dhe prej të gjitha kombësive do t’i shikojnë kufomat e tyre për tri ditë e gjysmë; nuk do të lejojnë të varrosen kufomat e tyre.

10Banuesit e tokës do të gëzohen dhe do të galdojnë për të keqen e tyre dhe njëri-tjetrit do t’i ndajnë dhurata, sepse këta dy profetë i munduan banuesit e tokës.

11Por mbas tri ditësh e gjysmë, shpirti që sjell jetën, i ardhur prej Hyjit, hyri në ta dhe ata u ndreqën në këmbë. Atëherë një frikë e madhe i kapi të gjithë ata që i shihnin.

12Dëgjuan një zë të madh që prej qiellit u thoshte profetëve: »Ngrituni! këtu!« Ata përmbi re u ngritën në qiell në sy të armiqve të vet.

13Në atë moment ra një termet i madh dhe e dhjeta pjesë e qytetit u rrafshua përdhe e në këtë termet sharruan shtatë mijë vetë. Ata që shpëtuan i mbuloi tmerri dhe i dhanë lavdi Hyjit të qiellit.

14»Vaj-i« i dytë kaloi. Dhe ja, »Vaj-i« i tretë po vjen pa vonesë!

Trumbeta e shtatë

15Edhe engjëlli i shtatë i ra trumbetës: në qiell jehuan zëra të mëdhenj që thoshin: »U vendos mbi rruzull Mbretëria e Zotit tonë dhe e Krishtit të tij! Dhe do të mbretërojë në shekuj të shekujve!«

16Atëherë njëzet e katër udhëheqësit që rrinin në fronet e veta para Hyjit, ranë përmbys dhe e adhuruan Hyjin

17e thanë: »Po të falënderojmë, o Zotëri, Hyj i Gjithpushtetshëm, ty që je, ty që ishe, sepse e ushtrove fuqinë tënde të madhe dhe e more mbretërimin!

18Paganët u hidhëruan, por arriti zemërimi yt! Erdhi koha të gjykohen të vdekurit, koha e shpërblimit për shërbëtorët e tu profetët, për shenjtërit dhe për të gjithë ata që e druan Emrin tënd - për të vegjël e të mëdhenj - dhe që të zhbihen ata që e prishin dheun!«

19Atëherë u hap tempulli i Hyjit që është në qiell dhe u duk Arka e Besëlidhjes së tij në tempullin e tij, shpërthyen vetëtimë, gjëmë e rrufe, termet dhe breshër i madh!