Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 4

Pamja e Madhërisë hyjnore

11 vargje

Pamja e Madhërisë hyjnore

1Pastaj pashë: dhe ja, në qiell një derë e hapur! Edhe zëri që e dëgjova më parë, që fliste me mua si zë trumbete, më tha: »Hip këtu dhe do të tregoj çka do të ndodhë pas kësaj!«

2Menjëherë kalova në vegim me anë të Shpirtit Shenjt. Dhe ja, në qiell ishte froni dhe Dikush ndenjur në fron.

3Atij që rrinte në fron i shkëlqente fytyra në përngjasim të gurit të paçmueshëm të jaspisit dhe të sardit. Rreth e rreth fronit ylberi që i ngjante smaragdit.

4Përreth fronit edhe njëzet e katër frone të tjera. Mbi frone rrinin njëzet e katër udhëheqës të veshur me petka të bardha e në krye kezat e arta.

5Nga froni dilnin vetëtima, zëra dhe rrufe. Para fronit digjeshi shtatë vravashka të ndezura, d.m.th. shtatë shpirtra të Hyjit.

6Përpara fronit diçka si det qelqi në gjasim të kristalit. Në midis të fronit dhe përreth fronit katër Gjallorë plot me sy para dhe mbas.

7Gjallori i parë i përngjante luanit, Gjallori i dytë i përngjante mëzatit, Gjallori i tretë kishte fytyrë njeriu dhe Gjallori i katërt ishte porsi shqiponja në fluturim.

8Këta katër Gjallorë kishin secili nga gjashtë krahë gjithkah përreth dhe përbrenda ishin plot me sy. Ata nuk pushonin ditë as natë duke shpallur: »Shenjt! Shenjt! Shenjt! Zoti, Hyji i Gjithpushtetshëm. Ai që ishte, Ai që është dhe Ai që do të vijë!«

9Dhe kurdo që Gjallorët i jepnin lavdi, nder dhe falënderje Atij që rri në fron, të Gjithpushtetshmit të shekujve,

10njëzet e katër udhëheqësit binin përmbys para Atij që rri në fron dhe e adhurojnë Atë që jeton në shekuj të shekujve, dhe i ulin para fronit kezat e veta duke thënë:

11»I denjë je, o Zot, Hyji ynë, të marrësh lavdinë, nderin dhe pushtetin, sepse ti krijove gjithçka dhe me vullnetin tënd gjithçka u bë dhe u krijua!«