Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 5

Libri i vulosur dhe Qengji

14 vargje

Libri i vulosur dhe Qengji

1Atëherë pashë: në dorën e djathtë të Atij që rri në fron një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.

2Pashë edhe një engjëll të fuqishëm që shpallte me zë të madh: »Kush është i denjë ta hapë librin dhe t’ia zgjidhë vulat?«

3Dhe askush, as në qiell, as në tokë, as në Nëntokë nuk ishte i zoti të çelë librin e të shikojë në të.

4Atëherë unë ia plasa vajit, sepse nuk u gjet asnjë i denjë ta hapë librin e të shikojë në të.

5Atëherë njëri prej udhëheqësve më tha: »Mos qaj! Ja ngadhënjeu Luani nga fisi i Judës - rrënja e Davidit: Ai do ta hapë librin dhe shtatë vulat e tija.«

6Atëherë vura re: në midis të fronit dhe të katër Gjallorëve, në midis të udhëheqësve, qëndronte - si i prerë - Qengji, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë [shtatë] shpirtrat e Hyjit të dërguar në mbarë tokën.

7Ai u afrua për të marrë librin prej të djathtës së Atij që rri në fron.

8Kur e mori librin katër Gjallorët e njëzet e katër udhëheqësit ranë përmbys para Qengjit. Secili kishte harpën dhe një kupë ari plot me kem, d.m.th. me urata të shenjtërve.

9Këndonin një këngë të re dhe thoshin: »Ti je i denjë ta marrësh librin dhe t’ia zgjidhësh vulat, sepse qe prerë dhe me gjakun tënd i shpërbleve për Hyjin njerëzit e çdo fisi, gjuhe, populli dhe kombësie,

10dhe i bëre për Hyjin tonë mbretëri dhe priftërinj dhe ata do të mbretërojnë përmbi tokë.«

11Atëherë në vegim dëgjova zë shumë engjëjsh përreth fronit, Gjallorëve dhe udhëheqësve. Ishin dhjetë mijëra dhjetë mijërash e mijëra mijërash.

12Brohorisnin me zë të lartë: »I denjë është Qengji i prerë të marrë pushtetin, pasurinë, dijen, fuqinë, nderin, lumturinë dhe lavdinë!«

13Dhe çdo krijesë që është në qiell e në tokë, në nëntokë e në det, - të gjitha në to dhe mbi to i dëgjova duke thënë: »Atij që rri në fron dhe Qengjit: bekim, nder e pushtet në shekuj të shekujve!«

14Kurse katër Gjallorët thoshin: »Amen!« ndërsa udhëheqësit ranë përmbys e adhuruan.