Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 6

Vulat

17 vargje

Vulat

1Atëherë pashë: kur Qengji e hapi të parën nga shtatë vulat, dëgjova njërin nga të katër Gjallorët duke bërtitur me zë si zë bumullime: »Eja!«

2Shikova dhe pashë: Ja, një kalë i bardhë! Ai që i rrinte në shpinë mbante në dorë harkun. I qe dhuruar një kurorë dhe, si ngadhënjyes, u nis për të ngadhënjyer më tutje.

3Kur Qengji e hapi vulën e dytë, dëgjova Gjallorin e dytë duke thënë: »Eja!«

4Dhe doli një kalë tjetër, i kuq si gjaku. Atij që i kërceu në shpinë iu dha pushteti të heqë paqen nga toka, kështu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin. Atij iu dha një shpatë e madhe.

5Kur Qengji e hapi vulën e tretë, dëgjova Gjallorin e tretë duke thënë: »Eja!« E pashë: Ja, një kalë i zi! Ai që i kërceu në shpinë, kishte në dorë peshoren.

6Atëherë dëgjova një zë para katër Gjallorëve që thoshte: »Masa e grurit një denar e tri masa elbi një denar, vajin dhe verën as mos e prek!«

7Kur Qengji e hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e Gjallorit të katërt duke thënë: »Eja!«

8Shikova e pashë: kur qe, një kalë verdhuk e ai që ishte në të quhej »Vdekje« dhe e përcillte bota e të vdekurve. Atyre u qe dhënë pushteti mbi të katërtën e tokës: të vrasin me shpatë, me uri, me vdekje dhe me egërsira të dheut.

9Kur Qengji hapi vulën e pestë, pashë nën lter shpirtrat e vrarë për shkak të fjalës së Hyjit dhe për shkak të dëshmisë që kishin bërë.

10Ata bërtisnin me zë të fortë dhe thoshin: »Deri kur, o Zotërues i shenjtë e i drejtë, do të vonosh të bësh drejtësi e ta shpaguash gjakun tonë mbi banuesit e tokës?«

11Atëherë secilit prej tyre i qe dhënë nga një petk i bardhë dhe u qe thënë të durojnë edhe pak kohë deri të plotësohet numri i shokëve të tyre të shërbesës dhe i vëllezërve që do të vriten sikurse ata.

12E pashë: kur Qengji e hapi vulën e gjashtë, u bë termet i madh, dielli u bë i zi porsi thesi i leshit të dhisë dhe e tërë hëna u bë si gjak.

13Yjet e qiellit ranë mbi tokë, sikurse fiku i hedh kokrrat e veta të papjekura kur e tund erë e madhe.

14Qielli u mbështoll porsi libri kur mbështillet dhe çdo mal e ishull ndërroi vend.

15Mbretërit e tokës, njerëzit e mëdhenj, prijësit e ushtrive, të pasurit dhe të fuqishmit, - dhe çdo njeri: skllav dhe i lirë - të gjithë u fshehen në shpellat e qetat e maleve

16e u thoshin maleve dhe qetave: »Bini mbi ne e na mbuloni nga fytyra e Atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,

17sepse arriti Dita e madhe e zemërimit të tyre! Kush mund të qëndrojë përballë?«