Të gjithë kapitujt

Zbulesa · Kapitulli 9

Vula e shtatë dhe kemorja e artë, Trumbetat (2)

21 vargje

1Edhe engjëlli i pestë i ra trumbetës: pashë një yll duke rënë mbi tokë! Atij iu dorëzua çelësi i pusit të Humnerës.

2Ai e çeli grykën e pusit të Humnerës, nga pusi doli tym porsi tym i një furre të madhe. Prej tymit të pusit u errësua dielli gjithashtu edhe ajri.

3Nga tymi dolën mbi tokë karkaleca, dhe u qe dhënë atyre zotësia si e kanë përçollakët e tokës.

4U qe ndaluar t’i bëjnë farë dëmi barit të tokës, gjelbërimeve e lëndëve, por të dëmtojnë njerëzit që nuk e kanë në ballë vulën e Hyjit.

5U qe lejuar, jo t’i vrasin, por t’i mundojnë për pesë muaj; mundimi është porsi mundimi që jep përçollaku kur e ha njeriun.

6Në ato ditë njerëzit do ta lypin vdekjen e nuk do ta gjejnë. Do të dëshirojnë të vdesin, por vdekja do të largohet prej tyre.

7Karkalecat ishin në gjasim të kuajve të përgatitur për luftim: në kokë kishin si kurorë ari dhe fytyrat i kishin si njerëzit,

8flokët porsi flokët e grave, dhëmbët porsi të luanëve.

9Ishin të ngjeshur pothuajse me hekur, ushtima e krahëve të tyre si ushtima e karrocave lufte me shumë kuaj kur sulen në luftim.

10Bishti i tyre në gjasim të përçollakëve, me thimtha; në bisht e kishin fuqinë për të munduar njerëzit gjatë pesë muajve.

11Për mbret kishin engjëllin e Humnerës që hebraisht quhet Abadon e greqisht Apolion.

12»Vaj-i« i parë kaloi. Ja, po vijnë edhe dy »Vaje« tjera!

13Edhe engjëlli i gjashtë i ra trumbetës: atëherë dëgjova një zë që po vinte nga brirët e lterit të artë që është para Hyjit,

14i cili i thoshte të gjashtit engjëll që kishte trumbetën: »Zgjidhi katër engjëjt që janë të lidhur në Lumin e Madh, në Eufrat!«

15Dhe qenë zgjidhur katër engjëjt që ishin të gatshëm për atë moment e për atë ditë, për atë muaj e vit, për të vrarë të tretën e njerëzve.

16Numri i togave të kalorësve - ua dëgjova numrin - ishte dyqind milionë!

17Në vegim të tillë m’u paraqitën kuajt dhe kalorësit: pancirat i kishin ngjyrë zjarri, vjollce dhe sulfuri. Kokat e kuajve, koka luanësh, gojët e tyre villnin zjarr, tym dhe sulfur.

18Nga këto tri plagë: zjarr, tym dhe sulfur, që dilnin nga goja e tyre, sharroi e treta e njerëzve.

19Sepse kuajt e kanë forcën e tyre në gojën e tyre dhe në bishtin e tyre: bishti i tyre u ngjan gjarpërinjve: kanë kokë me të cilën dëmtojnë.

20Megjithatë, njerëzit që nuk u vranë nga këto plagë, nuk u kthyen nga veprat e duarve të veta; por vazhduan të adhurojnë djajtë, idhujt e artë, të argjendtë, të bronzët, të hekurt, të drunjtë, që nuk mund të shohin, as të dëgjojnë as të ecin.

21Nuk u kthyen nga vrasjet e veta, as nga shortitë e veta, as nga fëlligështitë e veta, as nga vjedhjet e veta.